Shqipëria do të ketë së shpejti një park teknologjik. Pas votimit të ligjit në Parlament me 71 vota nga shumica socialiste, në vjeshtë do të nisin edhe punimet për krijimin e një mjedisi të përbashkët për shkencëtarët, si dhe startup-et në fushën e teknologjisë.

Por çfarë është një Technopark? “Parku teknologjik ofron një mundësi shumë të mirë për ndërtimin e një ekosistemi aty brenda të shumë aktorëve, duke filluar nga akademitë, bota e kërkimit, investitorët, inkubatorët dhe akseleratorët”, thotë për A2 CNN Arjan Ymeri, ekspert IT.

Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria si një treg tejet i ri është e prapambetur në digjitalizim dhe këtë e dëshmon edhe mungesa e një mjedisi të tillë. “Koncepti funksionon mjaft mirë në vendet e huaja, ne kemi parë sa shumë e ndihmon ekosistemin lokal për ato startup-e që kanë nevojë për një ndihmesë fillestare”, shton ai.

Në aspektin ligjor, programi i ofruar nga një Technopark i mundëson firmave të aksesojnë lehtësisht burimet e inovacionit dhe të ulin kostot e të bërit biznes.

Disa nga lehtësitë fiskale që parashikon projektligji janë heqja e TVSH-së për mallrat dhe pajisjet e përdorura në park, kostot e trajnimeve për punonjësit rimbursohen pjesërisht nga shteti, aktivitetet që zhvillohen brenda parkut nuk do të tatohen për 15 vite të njëpasnjëshme, e po ashtu edhe pagat e personelit përjashtohen nga taksat për një periudhë 10-vjeçare.