Gjykata e Apelit në Tiranë, ka ndryshuar masën e sigurisë për infermieren e Spitalit Infektiv, Ronida Hysi, e cila akuzohet për vjedhjen e portofolit të një pacienti gjatë qëndrimit të tij në këtë strukturë, si i infektuar me Covid 19.

Gjykata, ka vendosur ta ndryshojë masën, nga “arrest me burg”, në “arrest shtëpie”.

Kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë, është bërë nga Prokurorja e Apelit, Arta Marku. Kjo, pasi Hysi ka një fëmijë të mitur dhe është e divorcuar.

Nga ana e saj, e akuzuara u shpreh para gjykatës se e kreu aktin për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike.

30-vjeçarja u arrestua më 26 janar, pasi akuzohet se i  ka vjedhur 80 mijë lekë një pacienti të infektuar me koronavirus në spitalin Covid 1 në kryeqytet, i cili ndërroi jetë në pavionin ku ajo shërbente.

Rasti i 30-vjeçares Hysi u denoncua nga 25-vjeçari me inicialet F.D., djali i  pacientit, me inicialet K.C., 58 vjeç, i cili ishte i shtruar në Infektiv, ku dhe ndërroi jetë.

I riu fillimisht kishte denoncuar në polici, se babait të tij i kishin vjedhur paratë që  kishte në portofol, 20 mijë lekë të reja.

Sipas denoncimit të të riut, babai iu shtrua në spital më 22 dhjetor 2020 dhe humbi jetën më 27 dhjetor 2020.

Rasti, i cili u shndërrua në një skandal në Shqipëri, tronditi opinionin publik, teksa disa ditë më parë ishte arrestuar edhe një sanitare e spitalit Covid 2, me akuzën e mashtrimit, e cila i merrte para vajzës së një pacienteje me Covid në këmbim të shërbimit.

Pas disa ditësh, u vunë në pranga si bashkëpunëtore të saj, edhe tre infermiere dhe një sanitare e “Shefqet Ndroqit”.