Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur pak pas mesnatës në një lokal në qytetin e Sarandës.

Policia njofton se një 17-vjeçar, i punësuar si ndihmës/kamarier pranë lokalit që ndodhet në lagjen “Nr.1” të qytetit bregdetar ka humbur jetën, si pasojë e shkëputjes së kavos së ashensorit.

I mituri është zënë poshtë nga ashensori, duke marrë plagë që i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Policia sakaq, ka shpallur ka arrestuar në flagrancë 43-vjeçarin me iniciale L.A., banues në Sarandë pasi akuzohet për veprën penale ”shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Për ngjarjen e rëndë është shpallur në kërkim edhe pronari i lokalit.

Arrestimi i 43-vjeçarit dhe shpallja në kërkim e 37-vjeçarit u bë pasi:

Rreth orës 01:15 minuta të mëngjesit të sotëm, në lagjen “Nr. 1″, Sarandë, në lokalin në pronësi të shtetasit S. I., është këputur kavoja e ashensorit që përdorej kryesisht për furnizimin e lokalit, duke zënë poshtë shtetasin A. D., 17 vjeç, (ndihmës/kamarier në këtë lokal). Për pasojë, 17-vjeçari ka humbur jetën.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se 43-vjeçari i arrestuar kishte montuar ashensorin e lokalit ndërsa 37-vjeçari i shpallur në kërkim është pronari i lokalit dhe vijon puna intensive për kapjen e tij.

Njoftimi i policisë
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” .