Ukraina e shënoi Ditën e 32 vjetorit të Pavarësisë së saj me një operacion ushtarak në rajonin e Krimesë, ku raportohet se ka pasur gjatë natës një përballje të egër mes dy ushtrive.

Në një deklaratë për mediat Ministria e Mbrojtjes deklaroi se ushtria i përmbushi të gjitha objektivat që kishte gjatë “operacionit special” në Krime dhe nuk pati asnjë humbje jete, ndërkohë që dëmet në anën e armikut janë tepër të mëdha.

Edhe guvernatori pro-rus i Krimesë, Mikhail Razvozhayev pranoi sulmin e Ukrainës, ndërkohë që konfirmoi se nuk u godit asnjë godinë civilësh.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes në Rusi bën me dije se gjatë natës shmangu një sulm të gjerë me dronë nga ana e Ukrainës dhe rrëzoi në tokë 42 dronë drejt rajonit të okupuar të Krimesë.

Megjithatë, pavarësisht këtyre zhvillimeve disa aeroporte kryesore në Moskë vijojnë të qëndrojnë jashtë funksionit, nga frika e ndonjë sulmi të mundshëm me mjete ajrore të telekomanduara.

Rusia e aneksoi ilegalisht Krimenë nga Ukraina në vitin 2014, dhe Kievi ka thënë vazhdimisht se planifikon ta rimarrë atë dhe të gjitha territoret e pushtuara nga ushtria e Putin.