Sot, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Arjanit Hoxha, mori pjesë në krasitjen tradicionale të vreshtave në Negotinë dhe Kavadar. Të pranishëm në ngjarje poshtu ishin edhe Kryetari i Komunës së Negotinës – Toni Delkov dhe kryetari i Komunës së Kavadarit – Mitko Jançev.
Krasitje fillimisht u realizua në Negotinë, në vreshtat e kantinës së verës Ballkan Tim, dhe më pas vazhdoi edhe në Kavadar. Në rrethin e Muzeut të Verërave në Kavadar, solemnisht u krasit rrushi, veprim simbolik ky që shënoi edhe fillimin e sezonit të ri të prodhimit për këtë vit.
“Tani përpara nesh është një vit i ri i prodhimit. Le të mendojmë pozitivisht, duke vepruar bashkërisht e në kohën e duhur, siç jemi dakorduar. Rrushi ynë është i një cilësie të lartë, verërat tona njihen gjerësisht për shijen e pasur, për aromat dhe për karakterin e mirë. Në vitet e fundit eksportet e verës janë rritur në mënyrë të vazhdueshme. Në 2019 dhe 2020 pjesëmarrja e verës në eksportin e përgjithshëm ka qenë 7.4%. Për shumë vite, vera ka qenë produkti i tretë më i vlefshëm në eksport, pas duhanit dhe furrëtarisë (prodhimeve nga furra). Kjo vetëm se e konfirmon rëndësinë e kësaj kulture për ekonominë e përgjithshme vendore.
Ky është një sektor në të cilin ia vlen të investohet, një sektor që duhet ta zhvillojmë edhe më shumë, një sektor nga i cili mbijetojnë rajone të tëra në vend. Më vjen mirë që sot kemi gjithnjë e më shumë të rinj që duan të investojnë në këtë sektor”, tha Hoxha.
Ai ua uroi festën e “Shën Trifunit” të gjithë besimtarëve ortodoksë dhe kultivuesve të rrushit, duke theksuar se dëshiron që ky vit të sjellë fryte të pasura, verë cilësore dhe një sezon të ri të suksesshëm.
Në ngjarjen në Kavadar, u promovua edhe Katalogu “Udhëzues përmes Muzeut të Verës” dhe DVD edicioni “Nga rrushi te një gotë vere”.
Viti i kaluar ishte viti më i vështirë për industrinë e verës në vendin tonë, por edhe në botë. Pandemia e çorientoi tregtinë e verës në shishe dhe tregtinë e verës me shumicë.
Në kushte të tilla, Qeveria dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, kanë treguar në vepa kujdesin e tyre real, si për kultivuesit e rrushit, ashtu edhe për kantinat e verës.Për këtë janë miratuar masa ndërhyrëse për të kapërcyer me sukses krizën. Në përputhje me “Ligjin për mbështetje financiare për zvogëlimin e pasojave të shkaktuara nga Covid 19 në prodhimin, blerjen e rrushit dhe në industrinë e verës”, deri më tani janë paguar 6.3 milion euro, fonde këto që janë paguar ashtu edhe siç ishin premtuar, dmth deri në fund të vitit të kaluar. Sipas të dhënave nga Agjencia e Pagesave, mbeten për t’u paguar edhe 12-14 milion denarë, fonde këto që do të sigurohen në grupin e pestë të masave ekonomike.