Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, ka dhënë dorëheqjen në mënyrë të parevokueshme.
Vendimi i tij vjen pas nënshkrimit të marrëveshjes së FRD me koalicionin opozitar të udhëhequr nga Partia Demokratike para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
Në negociatat e FRD për marrëveshjen me Partinë Demokratike, dje mori pjesë nënkryetari i kësaj partie, Sali Shehu, i cili u paraqit në selinë blu pa Topin.
Topi i është drejtuar kryesisë së FRD-së përmes një letre, ku shkruan se jep dorëheqjen nga detyra e kryetarit, ndërsa nuk ka asnjë shpjegim për shkaqet.
Mësohet se njoftimi i ish-presidentit është vetëm një rresht e gjysmë në letër.
“Deklaroj dorëheqjen e menjëhershme dhe të parevokueshme nga drejtimi i FRD-së”, shkruan Topi në letrën e dorëheqjes së tij.