Ka përfunduar takimi mes Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, me kreun e SPAK, Altin Dumani, kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Olta Zaçaj, Kryetar i Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Artur Metani.

Takimi u zhvillua te Piramida, pas aktivitetit me të rinjtë që Sekretari Amerikan i Shtetit zhvilloi rreth orës 15:00, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama. Por ndërsa Rama u largua menjëherë pas përfundimit të aktivitetit, Blinken qëndroi më gjatë në ambientet e Piramidës.

Prej disa ditësh, u përfol se ky takim do të zhvillohej, por ishte vetë Ambasada Amerikane në Tiranë që e konfirmoi atë para mbërritjes së Blinken në Tiranë.

Takimi vjen ndërkohë që SPAK, një organ i akuzës i mbështetur vazhdimisht nga amerikanët, ka në duar dosje të rëndësishme, si ajo e çështjes së inceneratorëve, por edhe atë të ish-kryeministrit Sali Berisha, të shpallur “non grata” nga SHBA-ja e të lënë në arrest shtëpie nga Gjykata e Posaçme.

Të katër institucionet që zonja Zaçaj, zoti Dumani, zoti Sadushi dhe zoti Metani përfaqësojnë, janë produkte të Reformës në Drejtësi.