Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, në një lidhje, nga Ministeriali i NATO-s në Bruksel i ka dhënë përgjigje disa pyetjeve që lidhen me sfidat e sigurisë së aleancës.

Peleshi komentoi edhe deklaratën kërcënuese ndaj aleancës së ish-Presidentit amerikan, Donald Trump, i cili tha se do t’i kërkojë Rusisë të sulmojë vendet e NATO-s që nuk përmbushin detyrimet financiare. 

Sipas ministrit, Shqipëria është në listën e 2/3 të anëtarëve të NATO-s që ka përmbushur angazhimin me vendosjen e 2% të GDP-së në funksion të sigurisë dhe mbrojtjes.

Ai shtoi se deri në korrik, pjesa më e madhe e aleatëve do të sigurohet që të ketë plotësuar këtë kusht, duke qenë se 2% është kthyer në një dysheme nisur edhe nga sfidat aktuale në fushën e sigurisë.

Sot është dita e dytë në Bruksel. Dje kishim takimin e koalicionit për Ukrainën i udhëhequr nga SHBA-ja. Sot ka nisur Ministeriali i planifikuar. Një nga çështjet që është diskutuar këtu, ka qenë e planifikuar në agjendë është angazhimi për buxhetin, 2% i GDP. Shqipëria është një nga më shumë se gjysma, pothuajse 2/3 e vendeve anëtarë të NATO-s që kanë arritur me buxhetin e këtij viti 2% e GDP-së. Padyshim që ky numër do të vijë duke u rritur, me shpresën që në korrik, shumica e vendeve ta përmbushin këtë angazhim për rritjen e buxhetit të sigurisë dhe mbrojtjes. 2% nuk është thjesht një numër, por dysheme, minimum i domosdoshëm për t’u ngritur në nivelin që e kërkon sot koha, kapacitetet dhe aftësitë për mbrojtjen kombëtare dhe kolektive bazuar te Artikulli 5 i NATO-s.

A ka shqetësim mes vendeve të NATO-s, edhe me bisedat që ju keni ndarë me homologët tuaj për një skenar të largimit të Amerikës nga NATO-, meqenëse po diskutohet shumë sidomos pas deklaratës së ish-Presidentit Trump?

Ka pasur një unitet nga të gjithë aleatët, i palëkundur. Nuk ka lëvizje nga linja zyrtare e çdo aleati në NATO. E kundërta është e vërtetë. Këtu flitet për mobilitet ushtarak të shtuar. Në këtë pikë, dua të theksoj një takim që sapo përmbyllëm me ministrat e Mbrojtjes të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, ku diskutuam për hapat e mëtejshme drejt lobingut për “Korridorin 8”. Korridori 8 është një korridor tashmë edhe sigurie, jo vetëm konektiviteti. Ne e lidhim  me projektin që kemi dorëzuar në NATO për portin ushtarak të Porto Romanos. Po shtojmë përpjekjet për të investuar një mobilitet më të mirë në krahun lindor. Krahu lindor është krahu më i kërcënuar i NATO-s. Ky korridor përfundon në Detin e Zi, që është pika ku grumbullohet tensioni më i madh pas agresionit rus në Ukrainë. Nuk ka lëvizje nga qëndrimet, përkundrazi ka bashkëpunim për nivel më të lartë të mbrojtjes kolektive.”/a2