Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, foli me elozhe të mëdha për Kryeministrin Edi Rama, gjatë një ceremonie te Piramida me të rinj, të quajtur “Celebrimi i të ardhmes së marrëdhënieve SHBA-Shqipëri”.

“E ndjen ambientin e ngrohtë jashtë, por edhe në çdo dhomë tjetër që kam qenë në Tiranë. Ju jam mirënjohës. Jam shumë i lumtur që jam sot me ju, në një qytet ku ju, si ish-kryetar bashkie, i keni dhënë ngjyra të bukura. Jam mirënjohës për partneritetin e jashtëzakonshëm që ne të dy kemi. Zoti kryeministër është jo vetëm një udhëheqës i shquar, por edhe një kryeministër shumë i mirë. Dhe këto 3-4 vitet e fundit që kemi punuar bashkë, çdo vështirësi që kemi pasur, zoti kryeministër ka qenë pranë nesh dhe i kemi përballuar së bashku”, tha Blinken.

Duke vlerësuar Shqipërinë për arritjet në art, kulturë dhe sport, Blinken falënderoi posaçërisht vendin tonë për mikpritjen e familjeve afgane që u larguan nga vendi i tyre dhe janë në pritje të transferohen në Shtetet e Bashkuara.