Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Arjanit Hoxha sot u takua me Ministrin e Bujqësisë të Republikës së Turqisë Dr. Bekir Pakdemirli.
“Republika e Maqedonisë së Veriut që nga pavarësia e saj gjithmonë ka pasur mbështetje nga Republika e Turqisë në të gjithë sektorët, për të cilën unë i jam shumë mirënjohës dhe jam i sigurt që në periudhën e ardhshme mbështetja dhe bashkëpunimi do të thellohen edhe më tej. Këtë thellim të bashkëpunimit dua ta konfirmoj me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë në fushën e ujit, bashkëpunimit në fushën e pylltarisë dhe Marrëveshjen në fushën e sigurisë ushqimore dhe politikës veterinare, të cilat u nënshkruan gjatë muajit janar të vitit 2021”, tha Ministri, Hoxha.
Të dy ministrat diskutuan për shumë tema të ndryshme, ndër ta ishte edhe bashkëpunimi rreth dy kulturave strategjike të vendit tonë, pra rreth duhanit dhe orizit.
“Në kuadër të vizitave të realizuara në vendet e Ballkanit, sot jemi në Maqedoninë e Veriut, vend i cili për ne është vend vëllazëror dhe miqësor, gjithashtu jam i nderuar që më jepet rasti që të takohem edhe me kolegun tim, Ministrin Arjanit Hoxha. Me këtë rast, unë do të doja të ritheksoj edhe një herë se Republika e Turqisë do të vazhdojë të mbështesë Republikën e Maqedonisë së Veriut në çdo mënyrë të mundshme, problemet tuaja janë edhe problemet tona, sot jam këtu për ju, e njëkohësisht jam edhe vëllau juaj, familja e të cilit është me origjinë nga Velesi. Republika e Turqisë është vendi i tretë në Evropë dhe midis dhjetë të parëve në botë, për sa i përket përqindjes së pjesëmarrjes së prodhimit bujqësor në prodhimin e brendshëm bruto. Ne jemi të gatshëm të ndajmë përvojat tona me të gjitha vendet në botë, e veçanërisht me Republikën e Maqedonisë së Veriut.” – tha Ministri, Pakdemirli.
Miqësitë midis kombeve krijohen duke ndërtuar shtigje të përbashkëta të interaksionit ndërshtetëror. Me këtë takim edhe një herë treguam se jemi të vendosur për të ndërtuar dhe avancuar në kontinuitet marrëdhëniet ekonomike me Republikën mike të Turqisë.