Dy fëmijë, 4 dhe 6 vjeç, tani janë jetimë. Një i tretë nuk erdhi kurrë në këtë botë. Dy prindërit e tyre nuk janë më. Ajo, nëna, u vra barbarisht me 31 goditje thike. Ai, babai, u gjet i vdekur jo larg shtëpisë, nuk dihet si dhe pse.

Tragjedia ka pllakosur në familjen Medinaj në lagjen “Sheq i madh” të qytetit Fier. Irvana Hyka Medinaj, 28 vjeçe, vdiq pardje pasi u sulmua me thikë nga burri i saj Demokrat Medinaj, një vit më i madh.

Tani dy fëmijët motakë kanë mbetur pa prindër dhe po mbahen nga të afërmit.

Por pse ndodhi e gjitha kjo?

Të afërmit pohuan se Irvana e ndjerë ishte rreth gjashtë javëshe shtatzënë dhe priste një fëmijë të tretë.

Atë mbrëmje të së mërkurës, dy bashkëshortët, Irvana dhe Demokrat Medinaj kanë qenë në shtëpi bashkë me dy fëmijët e tyre të mitur dhe disa familjarë të tjerë.