Mësohen detaje të reja nga arrestimi i 37-vjeçarit Albert Zaja i cili është autor i dyshuar i vrasjes së Shkëlzen Kastratit në Fier. Gazetari Ahmet Zani raporton se policia e Tiranës e ka arrestuar Zajën në banesën e tij në fshatin Niklë të Larushkës.

Policia ka qëlluar për ta trembur, ndërsa edhe Zaja kishte qenë i armatosur. Gjatë arrestimit atij i është sekuestruar një pistoletë e llojit “Gloc”, e mbushur me fishek ne gojë. Tashmë, autori i dyshuar i vrasjes së Kastratit është duke u shoqëruar nën masa të rrepta sigurie në drejtorinë e policisë Tiranë.

Shkëlzen Kastrati është ekzekutuar më 1 shkurt të këtij viti nga një vrasës profesionist në Fier ndërsa ishte duke drejtuar makinën e tij. Ai mori një disa plumba, por njëri i marrë në kokë i shkaktoi vdekjen e menjëhershme. Albert Zaja, 37-vjeç e Elmir  Tufa, 29 vjeç, bashkë me Elson Xhecuka, 27 vjeç, banues në Kamzë dhe Silvio alias Roland  Cara, 39 vjeç, u shpallën në kërkim nga policia lidhur me ngjarjen.

Dyshohet se ata janë pjesë e një grupi vrasësish me pagesë që e kanë ndjekur viktimën për afro dy muaj duke studiuar të gjitha lëvizjet e tij.