Një avion me 192 mijë doza të vaksinës kineze Sinovac është nisur sot drejt Tiranës për të nisur një vaksinim masiv të popullsisë shqiptare.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur nga Stambolli se janë siguruar 1 milion vaksina të tjera.

Ai sqaroi se janë kontraktuar për momentin gjysëm milionë doza. Ato do të vijnë në Shqipëri brenda 60 ditësh.

Nga këto 500 mijë doza, 192 mijë janë rrugës për në Tiranë.

Autoriteti Europian i Barnave nuk e ka autorizuar përdorimin e vaksinës kineze në vendet e BE.

Megjithatë disa shtete nëpër botë, përfshirë Turqinë, janë duke i përdorur ato.

Me mbërritjen e kësaj sasie shkon në afro 300 mijë totali i dozave gjendje stoku në Shqipëri.

Procesi i vaksinimit po ecën me ritme të ngadalta dhe deri tani që nga janari janë kryer 53 mijë vaksinime nga të cilët disa kanë marrë dy doza.

Sinovac është vaksina e katërt që vjen në Shqipëri. Nisi me Pfizer-BioNTech, më pas AstraZeneca, Sputnik V dhe tani vaksina kineze. Moderna nuk ka sjellë asnjë dozë në Shqipëri.