Një nga njerëzit më të kërkuar nga policia, Ardjan Çapja është vënë pranga, ndërsa kërkohet po ashtu edhe Florenc Çapja një emër i njohur dhe ky në botën e krimit.

Ardjan Çapja, akuzohet për vrasje të efektivit të policisë e mbetur ne tentativë, si dhe dyshohet se ka urdhëruar disa vrasje në qytetin e Elbasanit.

Bashkë me Florenc Çapjan në vitin 2012, ata dyshohet se në bashkëpunim edhe me shtetas të tjerë, kanë vrarë me armë zjarri shtetasit Gentian Beqiri dhe Nezir Beqiri (babë e bir).

Florenc Çapja është i dyshuar për tentativën e vrasjes së Fadil Memes, një krim i ndodhur në vitin 2006.

Ndërkohë kujtojmë se në dhjetor të vitit 2017, pas një konflikti mes ish-shefit të Qarkullimit Rrugor të Elbasanit, Fadil Mema dhe Sokol Çapjas mbeti i vrarë ky i fundit. Policia identifikoi si autorë nipat e oficerit të policisë.

Nuk do të vononte reagimi, kur në maj të 2006 vritet kunati i Memës, Ardian Ibrahimi. Pas një periudhe qetësie të rremë, kalvari i vrasjeve rihapet në vitin 2012 me Gentian Beqirin, një nga të akuzuarit për vrasjen e Sokol Çapjas dhe që ishte lënë në arrest shtëpie nga gjykata.

Dhe pas kësaj ngjarjeje tentohet të vritet edhe Fadil Mema, i cili mbeti i plagosur. Ngjarjet do të zhvendoseshin në Itali, ku në mars të vitit 2015 ekzekutohet ish-shefi i Qarkullimit Rrugor, Fadil Mema, në qytetin e Torinos.

Ish-polici i cili jetonte duke shitur gazeta, teksa kthehej në shtëpi u qëllua 14 herë me armë zjarri më 13 mars 2015. 7 plumba e goditën në trup duke i marrë menjëherë jetën Fadil Memës.

Ndërsa një vit më pas, në një ambient ku qëndronin familjarë të fisit Çapja dhe miq të tyre ndodhi një atentat i rëndë që njihet si “masakra e Elbasanit”, ku dy persona të armatosur hapën zjarr duke lënë të vrarë 3 persona, mes të cilëve edhe Agron Çapjan. Ndërsa në prill të 2016-s ekzekutohet në një hotel në Tiranë shtetasi Dritan Sheme, i afërm i Fadil Memës.

Njoftimi i policisë

Operacioni i zhvilluar nga RENEA, Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Gjatë operacionit është vënë në pranga një person me precedent të theksuar kriminal, i dyshuar si një nga autorët e një vrasjeje të dyfishtë të ndodhur në vitin 2012.

Sekuestrohet një armë zjarri kallashnikov.

Në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, në bazë të informacioneve të grumbulluara nga strukturat hetimore të DVP Elbasan dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë, mëngjesin e sotëm, gjatë operacionit policor të koduar “Krasta 2021”, u bë ekzekutimi i urdhrit të ndalimit të lëshuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan për shtetasin:

Ardian Çopja alias Çapja, 53 vjeç, banues në Elbasan.

Si dhe u shpall në kërkim shtetasi Florenc Çapja, 40 vjeç, banues në Elbasan.

Ndalimi i 53-vjeçarit dhe shpallja në kërkim e 40-vjeçarit u bë për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Këta shtetas, në vitin 2012, dyshohet se në bashkëpunim edhe me shtetas të tjerë, kanë vrarë me armë zjarri shtetasit Gentian Beqiri dhe Nezir Beqiri (babë e bir).

Gjatë operacionit, në banesën e shtetasit Ardian Çopja, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov.

Vijon puna nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokuroritë përkatëse, për zbardhjen e ngjarjeve të tjera kriminale të ndodhura më parë, identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorëve.