Ish-kryeministri Bashkim Fino, ka humbur jetën disa javë pasi po vuante infektimin nga koronavirusi.

Fino, 58 vjeç, ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në orën 04.00, thanë zyrtarë të qeverisë.

Bashkim Fino disa vite më parë vuajti nga një sëmundje e rëndë të cilën u duk se arriti ta luftojë.

Në Mars të vitit 1997 pasi ishte zyrtar lokal në Gjirokastër, ai u thirr nga Ish-Presidenti Sali Berisha për të marrë postin e kryeministrit.

Ishte koha kur shteti thuajse kishte rënë dhe u krijua qeveria e Pajtimit Kombëtar.

Në muajin korrik vijoi me poste qeveritare. Ushtroi detyrën e Ministrit të Pushtetit Lokal, njëkohësisht dhe Zv/kryeministër deri më 1998.

Në 1999 deri në vitin 2001 do të ishte ministër i pushtetit lokal. Gjatë viteve 2001-2002 ka qenë Ministër i Punëve Publike dhe Turizmit.

Ndërsa në periudhën 2004, Ministër i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit.

Prej shumë vitesh ishte deputet i Partisë Socialiste. Edhe për zgjedhjet e 25 prillit ishte kandidat për deputet.

Kryeministri Edi Rama reagoi i shokuar nga vdekja e Finos: “E pabesueshme, po shumë fatkeqësisht e vërtetë, miku im, miku ynë i mirë Bashkim Fino nuk jeton më! Nuk kam fjalë.

Sot për familjen tonë të madhe është një ditë zie, aktivitetet tona elektorale do të ndalen, në nderim e kujtim të vëllait tonë të dashur”.