Gjatë fundjavës, roboti Perseverance kapi një imazh qe dukej se ishte një ylber mahnitës në horizontin marsian. Fotografitë e shpërndara bënë që përdoruesit e rrjeteve të diskutonin mbi teori të ndryshme se si një ylber është i mundur në Mars.

Pas disa ditësh spekulimesh, NASA vendosi të zbulojë të vërtetën. Ky fenomen nuk është i mundur në planetin e kuq, por në të vërtetë ky “ylber” është krijuar nga reflektimi i lentes, që ndodh kur drita godet thjerrëzën e kamerës në një kënd specifik.

“Shumë kanë pyetur: A është një ylber në Mars? Jo. Ylberët nuk janë të mundshëm këtu. Ylberët krijohen nga drita e reflektuar nga pikat e rrumbullakëta të ujit, por këtu nuk ka mjaft ujë për t’u kondensuar dhe është shumë e ftohtë për ujë të lëngshëm në atmosferë. Ky hark është një shpërthim i lenteve, “, kanë shkruar zyrtarët e agjensisë në twitter.