Më datë 1 janar 2022, Shqipëria do të ketë vendin në forumin më të lartë të vendimmarrjes globale, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Ministrja e për Europën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka, nëpërmjet një video-mesazhi në rrjetin social “Facebook” tha se në 11 qershor, në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Shqipëria pritet të zgjidhet anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për periudhën 2022-2023.

“Në datën 11 qershor, në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Shqipëria pritet të zgjidhet anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për periudhën 2022-2023.

Falë një fushate lobimi të suksesshme, vendi ynë ka arritur të fitojë mbështetjen e grupit të Europës Lindore për të konkurruar në këtë garë si kandidaturë konsensuale që do të thotë se jemi kandidatura  e vetme dhe zgjedhja është e sigurt. Është vërtet një lajm i madh dhe një moment historik për Shqipërinë dhe shërbimin tonë diplomatik.

Fakti që për herë të parë pas 65 vitesh si anëtar të OKB Shqipërisë i jepet një mundësi kaq e jashtëzakonshme. Falë kontributit në shërbim të paqes, sigurisë e stabiliteti në nivel rajonal edhe global përmes pjesëmarrjes në nisma e misione të OKB, do të mund të ketë vendin në forumin më të lartë të vendimmarrjes globale.

Misioni ynë në Këshillin e Sigurimit në New York, fillon në datën 1 janar të vitit 2022  dhe kjo është një mundësi e madhe po ashtu edhe një sfidë shumë e madhe”, tha Xhaçka.

Gjithashtu Xhaça i bën thirrje të gjithë shqiptarëve brenda ose jashtë vendit dhe sidomos në SHBA,  të aplikojnë e të konkurrojnë, për tu bërë pjesë e skuadrës kuqezi në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Duam që Shqipëria të prezantohet në Këshillin e Sigurimit me një “Dream Team”, një skuadër profesionale të nivelit më të lartë. Të gjithë ata e ato, shqiptarë e shqiptare, brenda ose jashtë vendit dhe sidomos në SHBA, që me shumë punë e mund kanë arritur të ndërtojnë karriera të suksesshme, i ftojmë të aplikojnë e të konkurrojnë, për tu bërë pjesë e skuadrës kuqezi në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, tha Xhaçka.