Detaje të reja mësohen rreth vrasjes së 26-vjeçarit Fridman Xhaferraj në Korçë.  Burime zyrtare pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë bëjnë të ditur se viktima ka qenë në shoqërinë e dy autorëve për disa ditë derisa humbi edhe gjurmët.

Mësohet se viktima i shoqëruar nga Lulëzim Spahia, person i shpallur në kërkim tashmë, dhe një person tjetër i moshuar i paidentifikuar nga ana e policisë, në datat 25-26 dhe 27 maj janë strehuar në një prej hoteleve në periferi të qytetit të Korçës.

Policia ka shkuar në këtë hotel pasi në xhepin e pantallonave të viktimës janë gjetur kartvizitat e hotelit në fjalë.

Nga ana tjetër burimet e prokurorisë bëjnë të ditur se Lulëzim Spahia më 21 maj të këtij viti është shpallur në kërkim nga gjykata e Durrësit si i dyshuar për veprën penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.

Po të njëjtat burime thonë se në datën 24 maj, viktima Fridman Xhaferraj dhe i shpalluri në kërkim Lulëzim Spahia, janë takuar fillimisht në Elbasan e më pas kanë udhëtuar drejt qytetit të Korçës, ku kanë qëndruar së bashku për katër ditë.

Së bashku me Xhaferrajn dhe Spahian, në hotel me ta, ka qëndruar edhe shtetasi me iniciale K.B, i dyshuar edhe ky ka policia për veprën penale të vrasjes me dashje.
Pas datës 27 policia për momentin nuk ka asnjë të dhënë për vendndodhjet apo lëvizjet e viktimës dhe dy të njohurve të tij, tashmë në pozicionin e të dyshuarve.

Kujtojmë se i riu nga Lushnja Fridman Xhaferraj u gjet nga banorët e zonës pa shenja jete në rezervuarin e Gjançit. Përpara se të hidhej në ujë, ai është goditur rëndë me sende të forta.