SPAK ka mbyllur hetimet duke dërguar për gjykim dosjen e Gjykatës së Krujës, ku mes të akuzuarve është edhe gjyqtarja Enkeleda Hoxha. Pas përgjimeve të kryera dhe sigurimit të provave të tjera, SPAK e akuzon Hoxhën për veprën “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim.

Një ndër bashkëpunëtorët e Hoxhës për nxjerrjen e të dënuarve nga burgu përmes raporteve false dhe vendimeve të pambështetura në ligj, sipas SPAK është edhe avokati Aldo Tabaku. Ky i fundit sipas SPAK bëntë rolin e sekserit mes familjarëve të të dënuarve dhe gjyqtares Hoxha me qëllim lirimin e tyre.

Pjesë e dosjes së SPAK është edhe sekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallkuci, e cila akuzohet se përgatiste dosjet e gjykimit në atë mënyrë që të dënuarit që kishin paguar të dilnin pikërisht para Enkelda Hoxhës për gjykim.

Në dosjen e Prokurorisë së Posaçme janë një sërë përgjimesh dhe vëzhgimesh ambientale që implikojnë të hetuarit, ndërsa vetë te akuzuarit kanë mbajtur qëndrim mohues.

SPAK do të çojë në gjykim dosjen për akuzën e “Korrupsionit pasiv” dhe “Korrupsionit aktiv” të prokurorëve dhe gjyqtarëve.