Në minutën e 32-të të ndeshjes kundër Venezuelës, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës, “Katar 2022”, mbrojtësi Adrian Martinez, i cili hyri në fushë në minutën e 25-të, kreu një ndërhyrje shumë të rrezikshme ndaj Lionel Messit.

Takat e ngritura të tij nuk kursyen fare tibian e këmbës së majtë të yllit argjentinas. Numri 30 i PSG mbeti shtrirë në tokë, duke rënkuar nga dhimbjet, teksa stafit mjekësor të Albiceleste iu deshën 5 minuta për t’i dhënë ndihmën e duhur.

Pastaj, 34-vjeçari u ngrit duke çaluar disi, por me kalimin e minutave iu  kthye normalitetit dhe luajti me kohë të plotë. Fillimisht, gjyqtari uruguajan i akordoi vetëm karton të verdhë mbrojtësit të dhunshëm venezuelian.

Ndërhyri VAR, i cili kërkoi që gjyqtari në fushë t’i shihte sërish pamjet në monitor. Pasi u përball me pamjet e ndërhyrjes së rrezikshme, përsëritjen e tyre, kryesori ndryshoi mendim, duke i akorduar direkt kartonin e kuq.

Venezuela mbeti me 10 lojtarë, çka u shfrytëzua më pas nga Lionel Messi me shokë, që fituan pastër 3-1. Golat për Argjentinën mbajnë autorësinë e Lautaro Martinez, Joaquin Correa dhe Angel Correa.