Një person i katërt është ende në arrati, sipas dëshmisë së babait të një prej të ndaluarve nga policia që ndodheshin në makinë me Aldi Ramën.

Ky i fundit qëlloi me armë zjarri duke e lënë të vrarë efektivin e policisë Saimir Hoxha, teksa i ndaluan me makinë në lagunën Kune-Vain në Lezhë.

Babai i Aleksandër Markut, një prej të ndaluarve që zbriti nga makina së bashku me Kristian Sherin, ka deklaruar në polici se një person i katërt ndodhej në makinë me ta. Sipas babait të të ndaluarit, ky person i vuri pistoletën në kokë Aldi Ramës kur pikasi policinë dhe i tha që të mos ndalonte makinën në postbllok.

Deri tani zyrtarisht është njoftuar për tre persona që u përballën me efektivët e policisë, ndërsa kjo dëshmi bie disi në kontradiktë edhe me faktin se Aldi Rama ishte ulur në sediljen e pasme në momentin e vrasjes, dhe më pas zbriti për të marrë drejtimin e makinës.