Ngjarja e rëndë në Lezhë, është veshur me paqartësi sonte pas një deklarate të ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi i cili tha se i dyshuari Aldi Rama është neutralizuar nga policia.

“Autori i ngjarjes, Aldi Rama, një i ri i dënuar më herët në fushën e narkotikëve, u neutralizua pas disa orësh rrethim nga forcat speciale të policisë”, deklaroi z.Çuçi.

Më herët, Policia e Shtetit tha se forca të shumta të Policisë së Shtetit, pas disa orësh ndjekjeje me helikopter dhe nga toka, kanë bërë të mundur lokalizimin e autorit të ngjarjes, i cili ishte fshehur në zonën e kënetës në “Lagunen Vain”.

Policia e Shtetit tha se “forcat e Policisë kanë krijuar perimetrin e sigurisë dhe i kanë bërë thirrje autorit që të dorëzohej, por autori i ngjarjes, shtetasi Aldi Rama nuk i është përgjigjur thirrjes së Policisë për t’u dorëzuar, por është vetëplagosur me armën e tij. Aktualisht po transportohet nga forcat e Policisë për në spital, në gjendje kritike për jetën”.

Zhvillimet erdhën pasi më herët sot, rreth orës 10:30 në Ishull Lezhë, në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri në drejtim të grupit policor të kontrollit të territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

Si pasojë është plagosur me armë zjarri oficeri i Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë Saimir Hoxha, 44 vjeç, i cili për pasojë të plagëve të marra ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spitalin Rajonal Lezhë.