Një festë në stilin e plotë të Parisit, plot VIP-a dhe magjepsëse, është ajo që i bëri vetes Cindy Bruna, një top-modele franceze me kërkesa të mëdha ndërkombëtare dhe mikeshë e shumë futbollistëve.

Midis atyre që morën pjesë me kënaqësi në ditëlindjen e 27-të të modeles së bukur ishin edhe Neymar, Mbappé e Verratti, të cilët morën leje nga klubi, sepse të nesërmen PSG do të lunate kundër Rennes.

Me siguri, ky harbim ka ndikuar te tre futbollistët në fjalë, sepse të dielën, parizienët e miliardave u mundën 2-0 në fushën e Rennes. Një rezultat shokues për PSG, që ka grumbulluar yjet më të mirë të botës në radhët e veta. Futbollistët e sipërcituar shijuan një mbrëmje argëtimi në “Giusé Trattoria”, një nga klubet më në modë të Parisit.

Shumë VIP-a të tjerë morën pjesë në ditëlindjen e modeles francize, përveç tre shokëve të skuadrës së PSG. Edhe Lewis Hamilton, i cili ndodhej në kryeqytetin francez për “Javën e Modës”, gjithashtu iu përgjigj ftesës së Cindy Bruna.

Miqtë postuan foto dhe video të mbrëmjes në Instagram. Nuk ka dyshim se të gjithë u argëtuan me stil, me këngë, vallëzim etj. Paqja u vendos midis Neymar dhe Mbapé, të cilët duket se e kanë kapërcyer momentin e krizës për të festuar së bashku, edhe jashtë fushës.

Fundjavën e kaluar, kamerat e kishin fiksuar francezin duke u ankuar për shokun e tij të skuadrës, fajtor, sipas tij, për mos pasimin e topit.