Policia e Maqedonisë ka hyrë në ambientet e kompanisë “Besa Trans” në Shkup pas aksidentit me 45 viktima sot në Bullgari, teksa të gjithë turistët po udhëtonin me autobusin e kësaj firme.

Sipas gazetës bullgare “Trud”, pronari i kompanisë së autobusëve është shqiptari Azdren Ziberi. Sipas informacioneve jozyrtare, “Besa Trans” kishte zyra edhe në Kyustendil të Bullgarisë.

Mediat bullgare kanë raportuar se mes viktimave, pesë ishin fëmijë. Autobusi, i cili ishte nisur nga Stambolli për në Shkup u aksidentua në një autostradë 40 kilometra në jug të kryeqytetit Sofje dhe me pas u përfshi nga flakët.

Ndërkohë shtatë pasagjerë janë dërguar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Nuk dihen ende shkaqet e këtij aksidenti të rëndë, ndërsa autoritetet kanë filluar hetimet.