Josh Cavallo do të ishte i mirëpritur në Katar, sepse askush nuk është i pasigurt prej nesh. Sidoqoftë, duhen evituar shfaqjet publike të dashurisë, të cilat janë të neveritshme për ne. Ky është i vetmi tregues për t’u respektuar, përndryshe secili mund të jetojë jetën e tij”.

Këto janë fjalët e drejtorit ekzekutiv të komitetit organizativ të Kupës së Botës “Katar 2022”, Nasser al Khater, i cili foli për polemikat mbi të drejtat e njeriut.

Drejtori ekzekutiv iu përgjigj kështu futbollistit australian, Josh Cavallo, që doli hapur muajin e kaluar duke nënvizuar se “kishte frikë të shkonte të luante Botërorin e parë në një vend arab, ku homoseksualiteti, sipas ligjit të sheriatit, mund të dënohet me vdekje”.

Al Khater, i intervistuar nga CNN dhe “Independent”, foli për situatën në kuadër të Kupës së Botës së ardhshme, duke shtuar se “homoseksualët mund të vijnë në Katar si të gjithë tifozët dhe mund të sillen si çdo person tjetër.

Ajo që unë them, thjesht, është se nga pikëpamja e perceptimit të afektivitetit në publik, e jona është një shoqëri konservatore. E dimë që Botërori është një skenë e mundshme për protesta për këto çështje, por nuk jemi të shqetësuar”.