Ndërkohë që është gati ligji i kriptovalutave në Shqipëri, një pajisje për prodhimin e kriptomonedhave është sekuestruar nga policia kufitare në Morinë.

Raportohet se makineria është gjetur në makinën e B. B., 33 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut.

Po ashtu këtij personi i janë sekuestruar edhe 39 mijë euro të cilat nuk i kishte deklaruar.

Burime për Noa.al bënë me dije se shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Kukës dhe autoritetet doganore, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin me drejtues shtetasin B. B., 33 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 39.000 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar, si dhe një pajisje që dyshohet se përdoret për prodhimin e kriptomonedhave.

Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Kukës, u procedua penalisht drejtuesi i mjetit, shtetasi B. B., për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe i sendeve me vlerë në kufi”.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.