“Fola me Cristiano Ronaldon, bëmë shaka për këtë. Më pas do ta shohim se çfarë mund të ndodhë në fushë. Ronaldo e njeh mirë Italinë, çfarë është në gjendje të bëjë”.

Me shaka në mikrofonat e “Rai Sport”, mbrojtësi i Juventusit dhe kombëtares italiane, Leonardo Bonucci foli për “play-off” vendimtar, i cili, sipas të gjitha gjasave do ta shohë Italinë dhe Portugalinë të luajnë për një vend në Botërorin e ardhshëm “Katar 2022” (nëse dy kombëtaret eliminojnë së pari, në gjysmëfinale, përkatësisht Maqedoninë e Veriut dhe Turqinë).

“Iu thashë shokëve të mi se ditët që na ndajnë nga ‘play-off’ duhet të jenë gjithmonë e më të mira. Më pas dua t’u bëj një dhuratë fëmijëve të mi, që nuk e kanë parë kurrë Italinë në Kupën e Botës.

Çfarë ndodhi pas Kampionatit Evropian ishte fiziologjike. Normalisht disa shuplaka i morëm, ato duhet të na kthejnë në rrugën e duhur.

Tani duhet të fokusohemi në atë që na pret në mars. Jam i sigurt se ajo që ndodhi në vjeshtë do të shërbejë si një mësim për ne, do të bëjmë dy paraqitje të shkëlqyera”.