Qeveria ka miratuar forma të reja të dhënies së vizave dhe bëhet fjalë për vizën elektronike dhe atë pullë. Viza elektronike parashikon dhënien e vizave në rrugë elektronike pa qenë nevoja për t’u paraqitur personalisht pranë zyrave të ambasadave apo zyrave kosullore.

Viza elektronike lëshohet për vizën e tipit “C” e cila i jep të drejtë mbajtësit të hyjë dhe t qëndrojë në vend kryesisht për qëllime turistike, për një afat qëndrimi  të kufizuar. Aplikimi për vizë elektronike nga i huaji bëhet online jo më shumë se 90 ditë para datës së planifikuar për të ardhur në Shqipëri, vetëm për një hyrje me vlefshmëri deri në 30 ditë qëndrimi dhe vetëm nëse i huaji është pajisur me një vizë pullë në dokumentin e udhëtimit brenda një periudhe jo më shumë se 59 muaj.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 21, të ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave, vendosi:

  1. Miratimin e formatit të vizës pullë dhe të vizës elektronike, sipas anekseve që i bashkëlidhen këtij vendimi.
  2. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr.493, datë 6.5.2009, “Për miratimin e formës, të përmbajtjes dhe elementeve të sigurisë së vizës pullë”, dhe nr.655, datë 27.8.2020, “Për miratimin e formës, të përmbajtjes dhe elementeve të sigurisë së vizës elektronike”, shfuqizohen.
  3. Ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.