Festivalin e 60-të të këngës në RTSH e fitoi Ronela Hajati me këngën “Sekret”. E emocionuar për çmimin që e dërgon në Eurovision që do të zhvillohet në Itali, këngëtarja u shpreh se trofeu është një përgjigje për të gjithë ata që nuk kanë besuar te ajo.

Ky është çmimi i parë që unë marr dhe do të jetë nga më të rëndësishmit. Kjo këngë i dedikohet vetëm babës tim dhe dua të falënderoj jurinë që më ka votuar.

Falënderoj të gjithë miqtë e mi të ngushtë që më kanë sportuar. Mamanë time që është në sallë. Mami ku je? Mami më në fund është e lumtur për mua. Ka shumë njerëz që nuk kanë besuar te unë, por shihemi në Torino” tha ajo.

Në vendin e dytë u pozicionua Alban Ramosaj, i cili i kërkoi Ronelës që të sjellë Eurovision-in në Shqipëri. “Jam shumë falënderues për të gjithë bashkëpunëtorët e mi dhe dashurinë që më keni falur. Ronela, po nuk e solle Eurovision-in në Shqipëri, por nuk e solle….Miq duartrokitje për Ronelën”.

Vendin e tretë e ndanë dy artistët e rinj Eldis Arrnjeti dhe Rezarta Smaja. “Këtë çmim ia dedikojmë Shkodrës” ishin fjalët e tyre.