Ambasadorja e Francës në Shqipëri Elisabeth Barsacq mendon se nuk duhet të ketë ndarje të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në procesin integrues në Bashkimin Evropian.

“Në lidhje me këtë çështje, mendoj se duhet ta tejkalojmë idenë se dy vendet mund të veçohen. E di se shumë thonë se dy vendet janë trajtuar së bashku dhe meqë gjërat nuk po shkojnë mirë për Maqedoninë e Veriut për shkak të Bullgarisë, atëherë duhen ndarë. Kjo duhet tejkaluar dhe ne duhet të bëjmë maksimumin në mënyrë që të mbahen dy konferencat ndërqeveritare në të njëjtën kohë”, tha ajo në një intervistë për ‘Mirëmëngjes’.

Tirana dhe Shkupi për vite me radhë po presin nisjen e bisedimeve dhe sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, dy shtetet kanë përmbushur të gjitha kushtet.

Por, Bullgaria, shtet anëtar i Bashkimit Everopian, e ka bllokuar këtë proces për shkak të mosmarrëveshjeve që ka me Maqedoninë e Veriut sa i përket historisë dhe gjuhës.

Disa shtete refuzojnë që të ndajnë Shqipërinë nga paketa me Maqedoninë e Veriut, edhe nisja e negociatave me Tiranën është bllokuar.