Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e sekuestros për pasuritë e ish-ministrit të mjedisit Lefter Koka, përfshirë kantinën e pijeve alkoolike.

Pasuritë e tij janë duke u administruar tani nga shteti, ndërsa vetë Koka u arrestua pak kohë më parë, për skandalin e incineratorëve.

“Komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, sot më datë 18.01.2022, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u shqyrtua çështja me nr. 13 akti, datë 07.01.2022 regjistrimi, mbi ankimin e të hetuarit (ankues) L.K., lidhur me “Heqjen e sekuestros preventive, të vendosur me vendimin nr. 484, datë 13.12.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, ku trupi gjykues monokratik i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vendosi, miratimin e vendimit nr. 484 akti, datë 13.12.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në pikat 1, 4, 5, 8 dhe 9 të tij, që lidhen me pasuritë e ankuesit”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se SPAK urdhëroi më 14 dhjetor prangosjen ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka për dosjen e shumëpërfolur, atë të inceneratorit në Elbasan.

Prokuroria e Posaçme akuzon ish ministrin e mjedisit për tre akuza. Ndaj tij rëndojnë akuzat e shpërdorimit të detyrës”, “pastrim të parave” dhe korrupsion”. Hetimet disa mujore zbuluan se Lefter Koka favorizoi pronarët dhe administratorët e kompanisë lidhur me koncesionin e inceneratorit të Elbasanit.

Sipas SPAK Koka akuzohet se ka përfituar rryshfet në vlerën e 3.7 milion eurove nëpërmjet kompanive fiktive të zotëruara nga familjarë dhe të njohur të tij