Shqipëria po vuan mungesën e fuqisë punëtore. Fshatrat po zbrazen dhe tokat po mbeten djerrë.

Një kompani në Lushnje, që ka aktivitet në grumbullimin e fruta perimeve dhe ka në pronësi dhe sera, ka marrë një konvikt në afërsi të Lushnjës si ambiente banimi për 30 gra që pritet të vijnë shumë shpejt nga Nepali për të punuar në njësinë e grumbullimit bashkë me 35 gra shqiptare. Pasi bënë përpjekje në Shqipëri e Kosovë, kompania nuk gjeti fuqi punëtore.

Mësohet se gratë do paguhen nga 50-60 mijë lekë në muaj, nga 20 dollarë që marrin në Nepal.

Por gjithsesi, punësimi i grave nepaleze mbetet një eksperiment, pasi përvojat e mëparshme kanë treguar se punonjësit nga vendet aziatike dhe afrikane, që vijnë me kontrata pune në Shqipëri, kanë qëllim të emigrojnë në Europë dhe ikin shumë shpejt nga Shqipëria.

Gratë nepaleze do të punojnë në njësinë e seleksionimit dhe paketimit dhe në sera.

Mungesa e punonjësve është një problem edhe për prodhuesit në sera. “Më keq do të vejë” – thotë fermeri Stavri Gjini. “Të rinjtë po largohen, fëmijë po lindin pak. Por edhe fëmijët që po rriten, nuk duan të punojnë në bujqësi. Të rinjtë nuk e pëlqejnë ta punojnë tokën. Ka pak fitime dhe shumë mundim, preferojnë të ikin jashtë”, thotë Gjini, i cili tashmë është i lodhur, pasi ka vite të tëra pune në bujqësi dhe shumë shpejt nuk do të ketë më fuqi të punojë.

Fermerët në zonën e Myzeqesë janë të shqetësuar se, mungesa e fuqisë punëtore, e cila nuk ka qenë problem deri vonë, do të kthehet në pengesën kryesore të zhvillimit të bujqësisë, përpos pengesave të tjera, siç është copëzimi i madh i tokës dhe mekanizimi i ulët.

Rënia e popullsisë me ritme të shpejta duket se do ta vërë ekonominë shqiptare para një sfide të re.