Shqipëria e futbollit ishte sërish sot në qendër në skenës së madhe europiane futbollistike. Në Nyon të Zvicrës, në selinë qendrore të UEFA-s u hodh shorti i kompeticionit “UEFA Europa Conference League”, ku janë mësuar tashmë çiftet e 1/8 finale. Kësisoji, po përcaktohet kështu edhe rruga që do të ndjekin ekipet pjesëmarrëse për të arritur në finalen e madhe të kësaj gare, që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, më 25 maj.

I pranishëm në hedhjen e shortit këtë të premte ishte ish-kapiteni i kombëtares shqiptare, Altin Lala, i cili i përzgjedhur si ambasador i finales, së bashku me zyrtarët e UEFA-s, ka tërhequr goglat. Ato kanë përcaktuar edhe çiftet e kësaj faze, ku marrin pjesë skuadra të mëdha nga kampionatet elitare të Europës, si Roma, Leicester City, Marseille, Feyenoord, PSV etj.

Lala, në një prononcim të shkurtër përpara nisjes së shortit, u shpreh i lumtur që një finale europiane do të luhet në Tiranë, duke e konsideruar si një nga eventet më të madha të organizuara në vendin tonë, ndërsa foli edhe për rëndësinë e kompeticionit dhe ekipet që e kanë impresionuar më shumë. “Është eventi më i madh i organizuar ndonjëherë në Shqipëri dhe jemi shumë të lumtur e mezi po presim që të zhvillohet ky event në Tiranë”.

Rëndësia e këtij kompeticioni – “Është i rëndësishëm për klubet e tjera që të kenë një shans për të fituar ‘Conference League’, mendoj se është një shans i drejtë për klubet e vogla”.

Ekipet që e impresionojnë – “Mendoj se kemi ekipe të mëdha. Roma, Leicester, Marseille. Ndoshta njëra prej tyre do të shkojë në Tiranë. Kështu shpresoj”.

Goglat kanë përcaktuar edhe çiftet e skuadrave që do të përballen me njëra-tjetrën në 1/8, për të siguruar më tej një biletë për në çerekfinale.