Policia e Vlorës njofton se autori i dyshuar i vrasjes së 46-vjeçarit Altin Alikaj në Vlorë është arrestuar.

Në pranga kanë rënë dy persona një 23-vjeçar me emrin Shazi Ahmetaj, i cili dyshohet se është autori i ngjarjes si dhe një 30-vjeçar me emrin Mateo Kiptiu, i cili dyshohet se ka përkrahur Ahmetajn në vrasjen e Alikajt.

Në momentin që u arrestua Ahmetajt ju gjet gjithashtu 40.5 gram lëndë narkotike e dyshuar e llojit heroinë.

Policia e Vlorës bën me dije se, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, bënë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar të ngjarjes.

Në kuadër të operacionit ‘Ndëshkimi’ u bë e munduar kapja dhe ndalimi i shtetasit Shazi Ahmetaj, 23 vjeç, banues në Kolonjë, Lushnje, me preçedentë të mëparshëm kriminalë në fushën e narkotikëve dhe të vjedhjes.

Gjithashtu u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Mateo Kiptiu 30 vjeç, banues në Kolonjë, Lushnje, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, Shtetasi Sh.A., dyshohet si autor i vrasjes se shtetasit Ajet Alikaj, i cili u gjet pa shenja jete në banesën e tij, ndërsa shtetasi Mateo kiptiu, dyshohet se ka ndihmuar autorin për t’u fshehur, duke i siguruar një mjet të marrë me qira për lëvizjen e tij.

Në momentin e ndalimit shtetasit Shazi Ahmetaj, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale 40.5 gram lëndë narkotike e dyshuar e llojit heroinë.

Vazhdojnë veprimet hetimore për të përcaktuar motivet e këtij krimi të rëndë, si dhe për identifikimin e personave të tjerë, që mund të jenë të implikuar në këtë ngjarje.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për veprat penale “Vrasje me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe ” Përkrahja e autorit të krimit”.