Rikthimi i mrekullueshëm i Cristiano Ronaldos në Manchester United nuk është aspak përralla që prisnin tifozët. Pas nëntë sezonesh te Real Madridi dhe katër te Juventusi, kampioni portugez u rikthye në “Old Trafford”, aty ku u bë yll ndërkombëtar, por pa gjetur kiminë dhe performancën e eksperiencës së parë.

Vetëm 18 gola për të këtë sezon mes Premier League dhe Champions League, shënuar në 32 ndeshje me fanellën e “Djajve të Kuq”. Sigurisht jo numra me të cilët CR7 na ka mësuar në karrierën e tij.

Për herë të parë në 12 vite, pesë herë “Topi i Artë” do ta mbyllë sezonin pa ngritur trofe me klubin. Një dështim i bujshëm, që gjithashtu ka pasoja të konsiderueshme ekonomike, do ta bëjë atë të humbasë miliona.

Sipas raportimeve të mediave britanike, Cristiano Ronaldo do të humbasë 5 milionë stërlina si bonus për shkak të sezonit katastrofik të Manchester United, pa trofe. Portugezi 37-vjeçar do të fitojë shumë më pak se sa pritej.

Më saktësisht, Ronaldo do të kishte fituar rreth 2.5 milionë stërlina nëse “Djajtë e Kuq” arrinin në finalen e Champions League. Fitimi i titullit të parë të Premier League nga Manchester United që nga viti 2013 do të vlente gjithashtu deri në 1.5 milion stërlina për portugezin.

Dështimi për ta përfunduar kampionatin aktual në katërshen e parë të Premier League mund të jetë edhe më shkatërrues për të, duke pasur parasysh se paga bazë është gjysma e asaj që fitonte në Itali.

Me Italinë tani jashtë loje, atij i duhet vetëm të fokusohet në kualifikimin për Kupën e Botës “Katar 2022” me Portugalinë e tij.