Shqiptarët kanë një ide sikur përgjohen. Në fakt një numër i kufizuar vërtet përgjohen me urdhëra të posaçëm.

Viti që lamë pas ka shënuar sërish një numër të lartë përgjimesh. Kryeprokurori Olsian Çela ka publikuar raportin vjetor, në të cilin thuhet se gjatë 2021 janë përgjuar me vendim Gjykate ose urdhër prokurori mbi 3400 qytetarë. Në këtë shifër që mesatarisht tregon se çdo ditë janë përgjuar 9 persona, nuk përfshihen interceptimet e kryera nga SPAK që tashmë ka një zyrë përgjimesh të vetën dhe përgjimet parandaluese të policisë që kryhen pa vendim Gjykate.

Qytetarët janë përgjuar gjatë vitit të kaluar në kuadër të hetimeve të kryera nga prokuroria, ndërsa në dokument thuhet se në kuadër të 655 procedimeve penale janë përdorur metodat e posaçme hetimore duke arritur në arrestimin e 640 personave të dyshuar për krime kundër rendit dhe sigurisë, kundër jetës dhe autoritetit të shtetit si dhe veprat kundër lirisë së personit, korrupsion, shpërdorim detyre, lëndë narkotike, pastrim parash dhe trafiqe të paligjshme.

Konkretisht raporti thekson se gjatë vitit 2021 janë ekzekutuar 1534 vendime për përgjime të autorizuara nga gjykata në hetimet paraprake dhe 741 autorizime dhe urdhra të prokurorit. Shifra totale është në të njëjtat nivele me vitin 2020 ndërkohë që për këto raste gjatë vitit 2021 është mundësuar interceptimi për 3662 pajisje fundore në përdorim të 3412 personave të dyshuar si të përfshirë në vepra penale. /Noa