Erdhi në Maqedoni të Veriut me një mesazh tepër të qartë. Presidenti i Këshillit Europian, Chales Michel, në Forumin e Prespës në Ohër tha se javën e ardhshme priten zhvillime pozitive, sa i përket hapjes së negociatave të anëtarësimit të Bashkimit Europian me Tiranën dhe Shkupin.

“Çelja e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sa më shpejt të jetë e mundur është prioritet i lartë. Mbështesim të gjitha përpjekjet për zgjidhje të pranueshme për të dyja palët për çështjet e hapura bilaterale me Bullgarinë. Jam i angazhuar personalisht me kolegë të tjerë dhe miq në BE për ta çuar përpara këtë proces. Sinqerisht, shpresoj dhe jam i bindur se ne do të kemi zhvillime pozitive shumë shpejt”, tha Michel.

Ai tha se zhbllokimi i procesit të zgjerimit të BE-së do të ishte një sinjal i rëndësishëm për të gjithë rajonin. Deklarata shpresëdhënëse vjen përpara samitit të 27 vendeve të Unionit me liderët e Ballkanit Perëndimor në Bruksel. Ndërkohë, në lidhje me këtë Franca do t’u dërgojë shteteve anëtare të BE propozimin për heqjen e vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, gjë e cila do lejonte caktimin e datës për konferencën e parë ndërqeveritare edhe me Shqipërinë.

Agjencia e lajmeve BGNES në Sofje shkruan se kryeministri Kiril Petkov do ta dërgojë dokumentin e qeverisë së Parisit në Kuvend për shqyrtim. Madje ai ka paralajmëruar të gjithë politikanët bullgarë të përgatiten për një “sulm brutal diplomatic” nga ana e diplomatëve të huaj në Sofje. Më aktivët, sipas tij, do të jenë ambasadorët e Francës, Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.