Pas vetëm një dite, Bordi i Transparencës vendosi këtë të mërkurë të ndryshojë sërish çmimet e karburanteve në vend.

Në mbledhjen e radhës u vendos që të ndryshojë çmimin e naftës, duke e ulur nga 255 në 249 lekë/litri. Të pandryshuar nga një ditë më parë kanë mbetur çmimet e benzinës dhe gazit me pakicë.

Çmimi i shitjes me pakicë i naftës të jetë jo më shumë se 249 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 237 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i benzinës të jetë jo më shumë se 242 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 230 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i gazit të jetë 83 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 71 lekë/litër për automjetet.

“Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 29 qershor ora 18:00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes. Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi. Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit. Jemi në monitorim të vazhdueshëm të ecurisë së bursave, me qëllim reagimin sa më të shpejtë”, thuhet në njoftimin e Bordit.