Nga dita e sotme avokatët në mbarë vendin do të nisin një bojkot pa afat të të gjitha seancave gjyqësore, ndërsa për 10 ditë me radhë do të bojkotohen edhe seancat e caktimit të masave të sigurisë.

Vendimi për ndërmarrjen që fut në kolaps gjithë sistemin gjyqësor, në përfundim të një mbledhjeje të Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

Bojkoti i mbrojtësve ligjorë, i cili vjen pas një bojkoti 4-ditor, do të mbahet në shenjë proteste me hartën e re gjyqësore. 

Avokatët pretendojnë se sugjerimet e tyre nuk janë përfshirë në projektin përfundimtar dhe se rishpërndarja e gjykatave në vend, cenon aksesin e qytetarëve në drejtësi dhe rrit së tepërmi kostot financiare të tyre.

Pas miratimit nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, harta e re gjyqësore mori miratim edhe nga Prokurori i Përgjithshëm dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Tashmë pritet vetëm mendimi i Ministrit të Financave për të kaluar më pas për miratim përfundimtar në qeveri.

Në projektin e hartës së re gjyqësore shkrihen 18 gjykata në mbarë vendin. Sipas konfigurimit të ri, gjykata e Apelit reduktohet në një të vetme në Tiranë, ndërsa 22 gjykatat e Shkallës së parë pakësohen në 13.

Sipas hartës, shkrihen gjykatat në Tropojë, Krujë, Lushnjë, Pogradec, Mat, Përmet, Kurbin, Kavajë, Pukë. Po ashtu, Gjykata Administrative të Shkallës së Parë do të jenë vetëm dy, një në Tiranë dhe një në Lushnjë, nga gjashtë që janë aktualisht.