Paulo Dybala pritet të jetë lojtari që do të zhbllokojë merkaton e emrave të mëdhenj të futbollit. Ylli argjentinas mbetet në kërkim të një skuadre, pas largimit nga Juventusi. Garës për shërbimet e sulmuesit i është shtuar së fundmi edhe Manchester United.

Me Interin dhe Milanin që nuk arritën të gjenin akordin me Dybala, “Djajtë e Kuq” synojnë të mposhtin konkurrencën, duke nisur kontaktet intensive me përfaqësuesit e lojtarit. Në orët në vijim, menaxheri i 28-vjeçarit do të takohet në Londër, me drejtuesit e britanikëve.

Nëse palët do të arrijnë marrëveshjen, atëherë United do të gjejnë pasardhësin e Cristiano Ronaldo. Ylli portugez kërkon të largohet nga Old Trafford dhe destinacioni i tij i mundshëm duket Bayern Munchen. Te bavarezët, CR7 do të zëvendësonte Robert Lewandowski-n, që nga ana e tij kërkon të transferohet në Spanjë, te Barcelona.

Efekti domino i emrave të mëdhenj të sulmit, lidhet në mënyrë të pashmangshme me Dybala. Në situatën e krijuar, vetëm transferimi i tij te Manchester United, duket lëvizja që do të zgjidhte situatën e komplikuar të krijuar në merkaton e kësaj vere.