Disa orë pas akuzave ndaj SPAK nga Ilir Meta dhe Sali Berisha, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, zhvilloi një takim me kreun e këtij institucioni Arben Kraja.

Diplomatja amerikane shprehu edhe njëherë angazhimin se SHBA-ja do të vijojë të mbështesë punën e Strukturës së Posaçme kundër korrupsionit.

“Kemi kënaqësinë të mirëpresim sërish kreun e SPAK-ut, Arben Kraja, pas vizitës së tij zyrtare në Uashington, e cila forcon më tej bashkëpunimin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm punën e SPAK dhe institucioneve të tjera të reformës në drejtësi”, shkruan Kim në rrjetet sociale.

Një ditë më parë, Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion kërkoi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve një kopje të formularit të vetëdeklarimit të Kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në kuadër të ligjit të dekriminalizimit.

Shkresa që SPAK i ka drejtuar KQZ i referohet Metës si ish-deputet. Ajo thekson se informacioni kërkohet për llogari të hetimeve që kjo strukturë ka nisur në kuadër të kallëzimit nga ish-deputeti Halit Valteri, i cili ka akuzuar Metën për lobim me të ardhura të paligjshme.