ELBASAN- Horgito Peqini ka pranuar vrasjen e Madrid Ulqinakut. Madje ai do të përfitojë ulje në dënimin që do të marrë pasi ende nuk i ka mbushur 18 vjeç dhe se e ka pranuar krimin. Mësohet se gjatë seancës gjyqësore që u zhvillua në Gjykatën e Elbasanit, Peqini ka kërkuar që të lirohen shokët e tij.

“Jam fajtor, e kam kryer unë krimin, më lironi shokët,”- mësohet të ketë thënë ai.

Masa ‘arrest me burg’ e kërkuar nga Prokuroria e Elbasanit u caktua sot nga trupi gjykues e kryesuar nga Pajtime Fetahu. Peqini u la sot në burg bashkë me Klaudja Sallufin që akuzohet se ka qenë bashkëpunëtor në ngjarje. Gjatë seancës ai u shfaq i buzëqeshur. Të dy u vunë në pranga më 22 gusht, në periferi të qytetit të Elbasanit, ndërkohë që kishin gati planin për tu arratisur nga Shqipëria. 33-vjeçari, Madrit Ulqinaku, babai i një vajze mbeti i vdekur në vend pasi u qëllua me armë zjarri sapo doli nga lokali në afërsi të bulevardit kryesor të Elbasanit, pranë stadiumit ‘Elbasan Arena’.

Natën e krimit u vu në pranga Eiden Dino, i cili akuzohet si bashkëpunëtor në ngjarjes. I riu rrëfeu në gjyq se i gjithë debati kishte lindur mes Sallufit e Ulqinakut, për motive të dobëta. Dino tregonte se bashkë me Peqinit e Sallufin kishin konsumuar birra e kokainë natën e krimit, më pas kishin dalë nga shtëpia me një synim, përballjen me Ulqinakun.

Sipas dëshmisë së 18-vjeçarit, ka qenë Sallufi ai që i ka thënë i pari Ulqinakut se e kishte bërë pis pasi e kishte prekur. Pas debateve mes Ulqinakut e Sallufit, në mes kishte hyrë Peqini, e kishte qëlluar me një plumb 25-vjeçarin, duke e lënë të vdekur në vend.