Me një situatë kriminale në vend gjithnjë e në rritje ku dhe përfshirja e efektivëve të policisë me grupet ka qenë në kohë të ndryshme kryefjalë e lajmeve, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore publikoi raportin më të fundit mbi punën e saj. Ajo që bie në sy është se vetëm në muajin gusht agjencia ka arrestuar në flagrancë 4 punonjës policie, ndërsa në prokurori kanë përfunduar 26 oficerë të policisë së shtetit dhe numri 1 i Gardës.

Një tjetër pikë është dhe sektori i ankesave, ndërsa vihet re që për këtë muaj dy janë drejtoritë për të cilat qytetarët ankohen më së shumti. Ato janë sektori për rendin dhe sigurinë publike si dhe policia rrugore, të cilat pasohen nga drejtoria e hetimit të krimeve.

Ndonëse diçka e tillë nuk flet për situatën kriminale në vend ajo jep një pasqyrë lidhur me abuzimet që ndodhin në krye të detyrës. Rikujtojmë kur testi i antidrogës i cili do të aplikohej për një pjesë të mirë të oficerëve të policisë u ndërpre pa asnjë shpjegim.

Njëri prej efektivëve i cili do testohej për përdorimin e substancave narkotike qëlloi me armën e shërbimit një të ri në Tiranë në fund të vitit 2021.Veç testit të antidrogës ajo që ka lënë boshllëqe të mëdha në heqjen nga radhët e policisë të efektivëve të inkriminuar është dhe vetingu.

Edhe pse nisi në nëntor të vitit 2019 dështoi për shkak se nuk u realizua në afat. Nga momenti i nisjes së këtij procesi deri tani, Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit e ka finalizuar vetingun vetëm për 63 efektivë të policisë por seanca e fundit për drejtuesit e policisë u bë me 17 mars të këtij viti.

Veç problemeve brenda radhëve të policisë në lidhje me krimin pikëpyetje të shumta ka dhe mbi rrokadën e emrave që ndodh herë pas here.

Ndonëse sistemi parashikon post në varësi të gradës, ajo që ka ndodhur në polici me emrat e vjetër e me drejtori të reja, po ndodh sot e kësaj dite. Diçka të tillë as vetë ish-drejtori i përgjithshëm i cili vinte nga brezi i ri nuk arriti ta ndryshonte.

Në fund situata kriminale në vend vijon të jetë problematike aq sa grupet dhe përplasjet mes tyre bëhen të hapura, ndërsa zbulueshmëria është në nivelet më të ulëta të saj.