Policia e Tiranës ka arrestuar 3 persona, të akuzuar për mashtrim. Sipas policisë, ata mashtronin shtetas të huaj, nëpërmjet telefonit, për të investuar në bursa fiktive.

Në pranga përfunduan D.T., 35 vjeç, banues në Tiranë, administrator i call center-it, E.Ll., 28 vjeç dhe E.A., 23 vjeçe, të dy banues në Tiranë, të punësuar si operatorë në këtë subjekt. Gjithashtu, u shpall në kërkim pronari i këtij subjekti, shtetasi A.T., 34 vjeç, banues në Tiranë.

Policia sekuestroi 4 kompjuterë, aparate celulare dhe lista me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi D.T., administronte një subjekt privat call center, me pronar shtetasin A. T., në zonën e ish-Parkut. Në këtë subjekt të paregjistruar në organet kompetente ishin të punësuar si operatorë shtetasit E. Ll. dhe E. A., të cilët, së bashku me administratorin, telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex.