Nga 20 nëntori deri më 18 dhjetor, do të jetë në qendër të vëmendjes së të gjithë botës. Doha, kryeqyteti i Katarit, mirëpret Kupën e Botës dhe njëkohësisht mbi një milion tifozë. Një qytet mahnitës e dinamik, me projekte futuriste dhe arkitekturë avangarde të frymëzuar nga tradita e lashtë islame. Nga muzetë dedikuar sportit, rrokaqiejt luksozë dhe shëtitjet nëpër tregjet tradicionalë, këto janë disa nga atraksionet më të famshme turistike në Doha.

Shëtitorja Corniche

Corniche, një shëtitore 7 km e gjatë që lidh Dohën e vjetër me atë të re, është vendi i përsosur për të admiruar horizontin surrealist të Dohës, me rrokaqiejt e saj të mbuluar, së fundmi, me imazhe gjigante të kampionëve të futbollit. Kjo rrugë plot gjallëri mbushet me njerëz sidomos gjatë mbrëmjeve, kur ndërtesat janë të ndriçuara dhe ofrojnë një spektakël të vërtetë dritash.  

Një udhëtim me varkat Dhoas

Nga e tashmja në të kaluarën… Në bregun e shëtitores Corniche janë ankoruar disa varka tradicionale me vela prej druri, të quajtura Dhows, që dikur përdoreshin nga tregtarët dhe peshkatarët e perlave. Tani, varkat janë zbukuruar me drita dhe mund të merren nga vizitorët për një turne të shkurtër në Gjirin e Dohës.   

Makinat Golf dhe autobusët panoramikë

Për të lëvizur në Doha, përveç taksive që nuk kushtojnë shumë dhe metrosë, ofrohet edhe shërbimi falas i makinave Golf, që qarkullojnë në zonat kryesore të qytetit. Ndërsa për të parë të gjithë qytetin, mund të zgjidhni turnetë “Hop on, Hop Off” në autobusët panoramikë që ndalojnë në vendet më të rëndësishme turistike.

Dyqane, tregje ari dhe kafshësh

Për të përjetuar stilin e jetesës vendase dhe arkitekturën tradicionale, një shëtitje në rrugicat e mbushura me njerëz në Souq Waqif, është zgjidhja perfekte. Krahas dyqaneve të erëzave, zejtarisë, qilimave, veshjeve, kafeneve e restorante të shumta, shumë interesat është dhe tregu i arit ku mund të gjeni xhevahire dhe gurë të çmuar. Ndërsa, tregu i kafshëve është një ndër më unikët në botë, ku jo vetëm shiten, por edhe ekspozohen kafshë të rralla, deve, kuaj, fajkoj etj.  

Muzeu Kombëtar i Katarit

Për të hyrë në historinë dhe kulturën e Katarit vizitoni Muzeun Kombëtar të Katarit, i projektuar nga arkitekti i njohur francez, Jean Nouvel. Një arkitekturë unike dhe e guximshme që ngjason me formacionet natyrore kristalore të njohura si “trëndafilat e shkretëtirës”. Një muze me dhjetëra dritare, ku në secilën prej tyre tregohet historia e Katarit, si dhe lidhja e tij me shkretëtirën dhe detin. Vizitorët, kanë mundësi të shohin edhe tre filma që lidhen me fillimet e shtetit, jetën në Katar dhe transformimin e vendit. Ndër gjërat më të çmuara që mban muzeu është një tapet me perla (rreth një milion e gjysmë perla); Kurani më i vjetër i krijuar në Katar, si dhe një arkivol i rrallë prej druri që i përket një tregtari perlash. 

Muzeu i Artit Islamik (MIA)

E inauguruar në vitin 2008, muzeu u ndërtua në një ishull artificial nga arkitekti Ieoh Ming Pei. Në të janë mbledhur ndër vite kryevepra artistike, orendi dhe objekte arti nga bota islame, të përhapura në 14 shekuj histori. Ngjitur me muzeun, gjendet një oazë e gjelbëruar me pamje nga deti, nga ku ngrihen dhe skulptura të shumta.

Fshati Katara

Fshati Katara u ndërtua për të mishëruar arkitekturën tradicionale të Katarit dhe është një pikë referimi e vërtetë në Doha për artin, kulturën dhe kuzhinën. Me një amfiteatër spektakolar, dy xhami (njëra e mbuluar me pllaka mozaiku dhe tjetra e projektuar nga turkja Zeynep Fadilloglu, arkitektja e parë femër e specializuar në këtë lloj ndërtesash fetare), si dhe galeri të shumta arti. Në këtë fshat gjenden edhe disa nga klubet dhe restorantet më të famshme, ku mund të shijoni një larmi ushqimesh tradicionale.

Muzeu Olimpik dhe Sportiv i Katarit  

Edhe nëse nuk jeni sportiv, është e pamundur të mos vizitoni një nga muzetë më të bukur dedikuar sportit. I ndërtuar në kohë rekord (si pothuajse çdo gjë në Doha), muzeu është një qendër ndërkombëtare për historinë, trashëgiminë dhe njohuritë mbi sportin. Muzeu ngrihet përballë stadiumit Khalifa International, një nga tetë stadiumet ku do të luhen ndeshjet e Kupës së Botës. Ndër seksionet më ndjellëse të muzeut, është galeria “Një Histori Globale e Sportit”, ku ilustrohet evolucioni i sportit në mbarë botën, nga antikiteti deri në ditët e sotme.