Ka qenë e tensionuar situata e sigurisë gjatë natës së mbrëmshme në veri të Kosovës, pas sulmit të armatosur pranë liqenit të Ujmanit ndaj patrullës së Policisë, janë dëgjuar edhe dy shpërthime të fuqishme.

Një prej shpërthimeve u dëgjua rreth orës 1:30 pas mesnatës dhe tjetri në ora 3:00 janë dëgjuar afër Zveçanit, ndërsa në drejtim të Zubin Potokut ka pasur edhe të shtëna armësh, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it.

Nuk dihet nëse ka pasur të lënduar apo dëme materiale, si dhe kush ka qenë objekt i këtyre shpërthimeve e të shtënave me armë.

Sipas këtyre burimeve, barrikadat janë përforcuar gjatë natës me makineri të rëndë, sidomos në fshatin Soqanicë dhe Rudare, ndërsa janë vendosur edhe tenda për qytetarët të cilët po qëndrojnë tek barrikadat.

Burimet më tej kanë shtuar se në barrikada ka shumë persona të panjohur dhe të armatosur të cilët kanë hyrë nga Serbia, ndërsa persona të maskuar po kujdesen për t’i sulmuar të gjithë ata që tentojnë t’i xhirojnë ose fotografojnë, duke përfshirë këtu gazetarët shqiptarë.

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës vazhdojnë të jenë prezentë nëpër lagjet e banuara me popullatë të përzier në veri, duke ruajtur qetësinë dhe rendin publik, si dhe duke ofruar siguri për të gjithë banorët pa dallim.