Po vijojnë goditjet e njëpasnjëshme të policisë ndaj veprimtarive kriminale që kryhen nëpërmjet “call center”-ave.

“Mashtronin qytetarët e BE-së, nëpërmjet 15 subjekteve call center, për të bërë transferta parash drejt Shqipërisë, me vlerë totale rreth 5 milionë euro. Gjykata cakton masa sigurie për 15 shtetas, nga të cilët 9 shtetas italianë dhe 6 shtetas shqiptarë. Bazuar në provat e siguruara nga hetimi tremujor, me metoda speciale, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg“, për 15 shtetas, nga të cilët 9 shtetas italianë dhe 6 shtetas shqiptarë”, lexohet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë, nga kontrollet e kryera në banesat e shtetasve shqiptarë, ndaj të cilëve Gjykata e Tiranës ka caktuar masa sigurie, shërbimet e Policisë kapën dhe ndaluan shtetasin A. L., 30 vjeç, banues në Tiranë. Policia njofton se vijojnë kontrollet intensive për kapjen e 4 shtetasve të tjerë shqiptarë, ndaj të cilëve është caktuar masa  e sigurisë “Arrest në burg”. Gjithashtu, po bashkëpunohet edhe me homologët italianë, për kapjen e 9 shtetasve italianë dhe të një shtetasi shqiptar, autorë të dyshuar për këtë veprimtari kriminale, ndaj të cilëve është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”.