Gjykata e Posaçme i dha fund procesit gjyqësor ndaj 45-vjeçari nga Irani, Bijan Pooladrag, të dyshuar për planifikimin e akteve terroriste në Shqipëri. Pooladrag u shpall fajtor për “organizatë terroriste” dhe “kryerja e shërbimeve dhe veprimeve me persona të shpallur”.

Ai u dënua me 15 vite burg, dënim që u ul në 10 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. SPAK nuk bindi gjykatën për katër akuzat të tjera ndaj 45vjeçarit, për të cilat u deklarua i pafajshëm. Bijan Pooladrag u vu në shënjestër të SPAK teksa po planifikonte sulme terroriste ndaj muxhahedinëve në kampin “Ashraf3” në Manzë.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Bijan Pooladrag për veprën penale “Kryerja e shërbimeve dhe veprimeve me persona të shpallur”, parashikuar nga neni 230/ç të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Bijan Pooladrag për veprën penale “Organizata Terroriste”, parashikuar nga neni 234/a, paragrafi i dytë të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 10 (dhjetë) vjet burgim.

Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Bijan Pooladrag për veprën penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, parashikuar nga neni 293/a, paragrafi i parë të Kodit Penal, pasi fakti penal nuk ekziston.

Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Bijan Pooladrag për veprën penale “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, parashikuar nga neni 293/b, paragrafi i parë të Kodit Penal, pasi fakti penal nuk ekziston.

Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Bijan Pooladrag për veprën penale “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike”, parashikuar nga neni 293/c, paragrafi i parë të Kodit Penal pasi fakti penal nuk ekziston.

Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Bijan Pooladrag për veprën penale “Keqpërdorimi i pajisjeve”, parashikuar nga neni 293/ç të Kodit Penal, pasi fakti penal nuk ekziston.

Ai kishte mbërritur në Shqipëri si pjesë e tyre, por më pas ishte larguar nga Kampi dhe vendosur në një banesë me qira në rrugën 5 Maji në kryeqytet. Sipas SPAK, 45-vjeçari ka krijuar kontakte me dy agjentë të shërbimit sekret iranian. Prej tyre ai ka marrë udhëzime për kryerje të mundshme aktesh terroriste ndaj personave të rëndësishëm të kampit ASHRAF 3. Referuar hetimit, për këto akte terroriste, atij i ishte kërkuar të siguronte një armë zjarri, si edhe të paguante një grupim kriminal për ta kryer.