Një alarm për bombë është dhënë, mëngjesin e sotëm, në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.

Njësitë antieksploziv dhe policia kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ku kanë bërë evakuimin e stafit dhe pasagjerëve, deri në sqarimin e plotë të ngjarjes.

Sipas Policisë, mbyllja e përkohshme e aeroportit ka ndodhur për shkak të një kanosjeje me mjete shpërthyese.

“Policia e Kosovës, sot në orët e paradites ka pranuar një informacion me përmbajtje kërcënuese, për mjete shpërthyese në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë. Bazuar në këtë informacion, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet relevante, ka ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore, ku për shkaqe sigurie ka mbyllur përkohësisht aeroportin. Me qëllim të hetimit, kontrollit dhe masave të sigurisë, janë angazhuar njësitet relevante, andaj kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve.”

Policia e Kosovës
Pak më parë, zëdhënësja e aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Valentina Gara, ka informuar se kanë pranuar kërcënim me bombë. Udhëtarët dhe personeli, sipas saj, janë evakuar dhe janë të sigurt.