Forcat ruse intensifikojnë sulmet me mortajë dhe artileri ndaj qytetit të çliruar rishtazi të Khersonit në jug të Ukrainë, duke ushtruar presion konstant edhe përgjatë vijës së luftës në rajonet lindore. Qindra civilë të terrorizuar nga bombardimet ruse janë në arrati nga qyteti jug, me radhë të gjata automjetesh që janë krijuar në postblloqet në dalje të qytetit.

Sipas autoritetet rajonale pushtuesit qëlluan edhe kundër repartit të maternitetit në një spital të Khersonit, por fatmirësisht nuk pati viktima. Ushtria ruse bombardoi mëngjesin e së mërkurës edhe qytetin lindor të Kharkiv. Kryebashkiaku Igor Terekhov u kërkoi banorëve të qëndrojnë në vendstrehime dhe të respektojnë masat e sigurisë.

Sirenat e alarmit për sulme të mundshme ajrore ranë edhe në kryeqytetin Kiev. U goditën të gjitha rrjetet elektrike dhe gazsjellësit në Nikopol dhe Dnipropetrovsk. Sakaq, Kremlini deklaroi se nuk do të ketë asnjë plan paqeje për Ukrainën nëse nuk do të merret në konsideratë aneksimi i 4 rajoneve ukrainase nga Rusia. “Nuk mund të ketë një plan paqeje për Ukrainën, që nuk merr në konsideratë realitetin aktual me përfshirjen e 4rajoneve të reja në territorin rus. Asnjë plan që nuk përfshin një realitet të tillë nuk mund të pretendojë se është paqësor”, tha ai.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në adresimin në orët e vona të 27 dhjetorit tha se situata në Donbas – që përbëhet nga rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut – ishte e “vështirë dhe e dhimbshme”. Ai u shpreh se kjo javë do të jetë “e rëndësishme për Ukrainën nga aspekti politik” dhe se një plan veprimi po diskutohet për ushtrinë ukrainase për vitin e ardhshëm dhe për situatën në qytetet e Kreminës dhe Bahmutit, që gjenden në Luhansk dhe Donjeck.